Serbia dinake Loja e tmerrshme e Vuçiqit dhe Ramës për një “Jugosllavi të re” në Ballkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i  Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev filluan të enjten procesin për formimin e “minishengenit ballkanik”.

Të tre gjatë një takim të mbajtur në Novi Sad, nënshkruan deklaratën e përbashkët të 4 Lirive Themelore të Bashkimit Evropian në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

 

 

Synimi i kësaj nisme, sipas Vuçiq është që deri në fund të vitit 2021, të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letërnjoftime.

“Dokumenti që do të shihni bazohet në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe shërbimeve, pasi qytetarët tanë meritojnë një jetë më të mirë dhe më pak papunësi. Qëllimi ynë është që të krijojmë mundësinë që deri në fund të 2021 të kalohet kufiri vetëm me kartë identiteti. Kamionët në Ballkanin Perëndimor humbasin 26 milionë orë pritje”, ka deklaruar Vuçiq.Kjo nismë ngjalli reagime të shumta, sidomos kundërshtime për Kosovën që nuk njihet nga Serbia dhe që dokumentet e saj nuk njihen nga serbët.

Lidhur me këtë iniciativë, publicisti dhe ish gazetari, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo është një lojë e Ramës dhe Vuçiqit për tu imponuar si liderë në Ballkan, por sipas tij nuk mund të ketë Shengen pa Kosovën dhe Edi Rama nuk mund të flasë për Kosovën pasi ajo është vet shtet.

“Është një lojë e pështirë e Vuçiqit dhe Ramës për tu ndjerë e për tu imponuar si liderë ballkanikë. Por nuk mund të ketë Shengen pa Kosovë. Përjashtimi i Kosovës është interes serb që përkrahet nga Edi Rama që shitet edhe si patriot. Edi Rama nuk ka pasur as ka tagër të flasë për shqiptarët në tërësi as të vendosë për to, pasi Kosova ka pasur e ka shtetin e vet, liderët e vet. Edi Rama sharlatani që bën shoumenin për të gajasë Merkelin, nuk mund të vendosë asgjë për Kosovën”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, me uljen në tryezë me Vuçiqin e Zaevin duke folur për Shengen ballkanik pa liderët e Kosovës, Rama ka miratuar qëndrimin serb ndaj Kosovës dhe tentativat e tyre për të eliminuar Kosovën janë një dështim i sigurt.

“Ulja në tryezë e Ramës si baba i shqiptarëve me Vuçiqin e Zaevin për të folur për Shengen ballkanik, pa liderët e Kosovës, është miratim i qëndrimit serb ndaj Kosovës. Një lider shqiptar nuk do të duhej të ulej në asnjë tryezë pa liderët e Kosovës. Rama me fjalë thotë se unë nuk do vija këtu nëse serbët nuk pranojnë Kosovën, por me vepra serbët nuk e pranojnë Kosovën se Kosova nuk është e pranishme në tryezë dhe serbët veprojnë kudo kundër Kosovës. Tentativat e Ramës e Vuçiqit për ta shmangur dhe eliminuar Kosovën janë dështim i sigurt pasi Kosovës nuk i mungojnë drejtuesit dhe nuk ka shans asnjë ballkanas ta anashkalojë Kosovën”, ka vlerësuar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Ai thotë se Ramës duhet thënë që të bëjë marrëveshje me Serbinë, por që asgjë nuk kalon përmes Kosovës dhe që fillimisht ai duhet ta heq pagesën ndaj Kosovës në Kalimash, për çka nuk paguajnë shtetet tjera.

“Edi Rama harron me dashje se Shqipëria nuk ka askund kufi me Serbinë dhe nuk ulet me Kosovën bashkë për të biseduar me Serbinë por shkon vetëm. Edi Ramës i duhet thënë bëj marrëveshje me Serbinë por nuk kalon asgjë përmes Kosovës. Para se të bëjë Shengen ballkanik e lëvizje të lirë, të heqë traun e përbuzjes ndaj veriore e Kosovës në Kalimash të Kukësit. Kosovën e detyron të paguajë me hy në Shqipëri, Maqedonia e veriut, Greqia, Mali i zi nuk paguajnë asnjë cent me hy në Shqipëri”, ka theksuar Shahu.

Sipas tij, Rama nuk e fut Shqipërinë në BE dhe kërkon ta fus në Serbinë e re.

Ndaj Shengen ballkanik është lojë banale e Vuçiqit e Ramës për t’i bërë kardhilkek Evropës që i kërkon standarde Shqipërisë. Edi Rama nuk e fut dot Shqipërinë në BE dhe kërkon ta fusë në Jugosllavinë e re apo Serbinë e re”. Ka deklaruar Rexhep Shahu.

Zogaj: Iniciativa e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për „minishengenin ballkanik“ është truk i ri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj, iniciativën për „minishengenin ballkanik“ e quan truk, që me kurthe janë realizuar edhe dy “minishengene” të ngjashme që kanë përfituar serbët.

“Iniciativa e kryetarit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për „minishengenin ballkanik“ është truk i ri nga përvoja e vjetër e politikës dhelpërore serbosllave, e cila, me kurthe të këtilla i ka realizuar dy „minishengene“ jashtëzakonisht të suksesshme përfituese për popullin serb, e këto janë: Mbretëria serbo-kroato-sllovene dhe, pas Luftës së Dytë Botërore krijimi i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, përmes të cilave Serbia i ka rrjepur deri në palcë popujt fqinj”, është shprehur Zogaj.

Sipas tij, ky truk i Vuçiqit është që të faktorizojë Serbinë në Ballkan dhe t’ua faktorizojë shqiptarëve e maqedonasve integrimin në BE përmes Beogradit.

“Këtë model ua preferon prapë gospodari serb fqinjëve ballkanas, për t’ua ofruar lirinë e lëvizjes së lirë ish robërve të vet, shqiptarëve dhe maqedonasve, që ende nuk ecën dredhaz nga dhuna serbe! Pra nuk duhet kurrfarë mençurie për ta kuptuar trukun e Vuçiqit i cili me këtë iniciativë ka për qëllim të faktorizojë Serbinë në Ballkan duke ua kushtëzuar shqiptarëve, maqedonëve dhe të tjerëve që udhën e integrimit për në BE ta kenë përmes Beogradit”, ka theksuar ai.

Zogaj shton se Kosova duhet ta hedh me përbuzje këtë nismë dhe ta kuptojë se e keqja e shqiptarëve ende u vjen nga vet shqiptarët!

“Pajtimin më Vuçiqin të kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev e kuptojmë, por assesi jo kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili ose është vërtetë i verbër ose po shtiret si i tillë për qëllime ogurzeza, me të cilat i ka veshur shqiptarët në Shqipëri dhe tash po dëshiron t’ua lyejë ballin me akull të zi duke i shpërblyer me lirinë e munguar të lëvizjes serbe! Miopi e llojit të vet! Kosova duhet ta hedh me përbuzje këtë nismë dhe ta kuptojë se e keqja e shqiptarëve ende u vjen nga vet shqiptarët”, ka deklaruar Skënder Zogaj për “Bota sot”.

E kjo nismë është kundërshtuar edhe nga ish diplomati Shaban Murati, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se shqiptarët prej vitesh hyjnë me karta identiteti në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë, derisa ka pyetur se kur do të dalë ndonjë internacionalist ballkanik në Tiranë të na shpjegojë pse u quajtka “Shengen” vetëm kur e jep Serbia?

“Presidenti serb në 10 tetor u premtoi shqiptarëve të Shqipërisë se në fund të viti 2021, (o gomari, o i zoti), do t’u dhurojë “Shengenin ballkanik”, ku shqiptarët do të hyjnë në Serbi me karta identiteti.
Por shqiptarët e Shqipërisë kanë kaq vjet, që hyjnë me karta identiteti në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë. A do të dalë ndonjë internacionalist ballkanik në Tiranë të na shpjegojë pse u quajtka “Shengen” vetëm kur e jep Serbia?” ka shkruar Murati në Facebook.

E ndaj “minishengenit ballkanik” ka reaguar edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, duke  thënë se iniciativa e presidentit Thaçi për “korrigjim kufijsh” i përçau aleatët në Kosovë dhe ia rriti kredibilitetin ndërkombëtar Serbisë, derisa me këtë ai ka lidhur iniciativën për MiniSchengen Ballkanik, për të cilën thotë se ka marrë yrysh kryeministri Rama dhe një veprim i tillë do ta izolojë Kosovën si subjekt në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe e rehabiliton Serbinë.

“Iniciativa e Presidentit Thaqi për „korrigjim kufijsh“ përpos që përçau aleatet e Kosovës, i rriti kredibilitetin ndërkombëtar Serbisë. Me këtë veprim ajo u shndërrua nga ujk në qengj. Iniciativa për MiniSchengen Ballkanik në të cilën ka marr yrysh kryeministri Rama, është edhe një veprim që në marrëdhëniet ndërkombëtare e izolon Kosovën si subjekt, duke i dhënë atributin e një vendi problematik dhe, e rehabiliton Serbinë e cila është fajtori kryesor i minimit të paqes në Ballkan”, ka shkruar Kajtazi në Facebook.

Ndryshe, takimi i radhës midis tre shteteve do të zhvillohet më 10 nëntor, në Ohër të Maqedonisë së Veriut./Botasot.info

Facebook Comments

POST A COMMENT.